Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pas zbulimit të gati 11 miliardë fuçive naftë nga kompania ExxonMobil në vitin 2015, prodhimi i Guajanës është rritur me shpejtësi të jashtëzakonshme. Aktualisht vendi prodhon rreth 650 mijë fuçi në ditë dhe deri më 2027 pritet të kalojë Iranin, duke arritur mbi 2 milionë fuçi në ditë – aq sa prodhonin së bashku Kolumbia, Ekuadori, Peruja, Trinidadi dhe Venezuela në vitin 2022.
Kjo rritje marramendëse e ka kthyer Guajanën në ekonominë me ritmin më të lartë të rritjes në botë. Vetëm në vitin 2022, GDP-ja u rrit me 63%, ndërsa në 2023 me 33.8%, sipas Bankës Botërore. Por pavarësisht këtij “boomi” ekonomik, vendi përballet me sfida serioze: varfëria e lartë, kërcënimet territoriale nga Venezuela dhe nevoja për institucione më të forta që të menaxhojnë pasurinë me transparencë.
Nga njëra anë, Shtetet e Bashkuara shihen si partneri kryesor i Guajanës, me kompani si ExxonMobil dhe Bechtel që dominojnë sektorin e energjisë. Nga ana tjetër, Kina po investon në infrastrukturë madhore, si ndërtimi i urës së re mbi lumin Demerara. Kjo e bën Guajanën një pikë takimi të rivalitetit ekonomik mes dy superfuqive.
Zgjedhjet e sotme, ku presidenti aktual Irfaan Ali kërkon një mandat të dytë, shihen si test për stabilitetin demokratik të vendit. Nëse Guajana arrin ta menaxhojë pasurinë e saj në mënyrë transparente dhe të balancojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe Kinën, ajo mund të shndërrohet në një shembull të rrallë për rajonin: se pasuria nga nafta nuk duhet domosdo të sjellë krizë, por mund të hapë një rrugë të re zhvillimi.