Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në një përpjekje për të ndihmuar të rinjtë të krijojnë lidhje serioze dhe për të adresuar krizën e lindshmërisë në vend, një tempull budist në Korenë e Jugut ka organizuar një program të veçantë njohjesh për beqarët.
Retreat-i dyditor zhvillohet në tempullin Naksansa, në verilindje të vendit, ku pjesëmarrësit marrin pjesë në aktivitete të ndryshme si ecje me sy të lidhur për të ndërtuar besimin, ceremoni çaji, joga në plazh dhe takime individuale. Gjatë gjithë programit, ata veshin rrobat tradicionale të tempullit dhe udhëhiqen nga murgjit budistë.
Interesimi për këtë iniciativë ka qenë rekord. Për edicionin e këtij viti u regjistruan 4.225 aplikime për vetëm 20 vende, duke e bërë programin një nga më të kërkuarit që nga nisja e tij në vitin 2023.
Organizatorët thonë se synimi nuk është vetëm krijimi i çifteve, por edhe ofrimi i një mjedisi të qetë, larg ritmit të shpejtë të aplikacioneve moderne të takimeve, ku të rinjtë mund të krijojnë lidhje më të thella dhe më kuptimplota.
Koreja e Jugut përballet prej vitesh me një nga normat më të ulëta të lindshmërisë në botë. Megjithëse norma totale e fertilitetit u rrit lehtë nga 0,75 në vitin 2024 në 0,80 në vitin 2025, ajo mbetet shumë larg nivelit të nevojshëm për zëvendësimin e popullsisë. Organizatorët shpresojnë se iniciativa të tilla mund të kontribuojnë, qoftë edhe simbolikisht, në përballimin e sfidës demografike të vendit.