Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Banorët e lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë kanë ngritur shqetësimin për grumbullimin e mbeturinave në rrugën "Bedri Gjini", duke thënë se ato nuk janë larguar tash e tri javë.
Sipas tyre, mbeturinat janë vendosur në pikën e grumbullimit sipas praktikës së zakonshme, por nuk janë marrë nga shërbimet përkatëse. Ata theksojnë se, për shkak të temperaturave të larta, era e keqe është bërë e padurueshme dhe ekziston rrezik për përhapjen e infeksioneve.
Banorët shprehen të shqetësuar edhe për faktin se pranë grumbullit të mbeturinave ndodhet një park ku luajnë fëmijët, duke e cilësuar situatën si kërcënim për shëndetin publik.
Ata e konsiderojnë këtë një neglizhencë të papranueshme dhe u bëjnë thirrje Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama që të ndërhyjnë sa më shpejt për largimin e mbeturinave dhe rikthimin e grumbullimit të rregullt.