Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Presidenti amerikan, Donald Trump, po përballet me kritika nga ligjvënës republikanë dhe demokratë pas planit për importimin e naftës dizel nga Rusia, në një kohë kur lufta me Iranin ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë.
Trump njoftoi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka rënë dakord për furnizimin e menjëhershëm të tregut amerikan dhe atij global me 300 mijë tonë naftë dizel. Sipas tij, dërgesat do të vazhdojnë me sasi të tjera gjatë muajve në vijim.
Marrëveshja ka nxitur reagime, pasi vetëm disa javë më parë Trump kishte nënshkruar një ligj që autorizon sanksione dhe tarifa të reja ndaj vendeve që importojnë naftë dhe gaz rus.
Shtatë senatorë amerikanë, katër republikanë dhe tre demokratë, kanë kërkuar që Trump ta rishqyrtojë vendimin, duke argumentuar se ai bie ndesh me ligjet amerikane dhe mund të sigurojë të ardhura për Rusinë, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se marrëveshja do të realizohet përmes mekanizmave ekzistues ligjorë, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve. Edhe disa republikanë kanë shprehur mbështetje për lehtësimin e kufizimeve ndaj produkteve të naftës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka kritikuar marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një mbështetje financiare për presidentin rus.
Çmimet e karburanteve janë rritur pas fillimit të luftës me Iranin në fund të shkurtit, për shkak të ndërprerjeve në furnizimin global me naftë bruto. Kostoja e lartë e dizelit ka prekur veçanërisht sektorin e bujqësisë dhe transportit në SHBA.
Megjithatë, analistët kanë ngritur pikëpyetje nëse Rusia mund të përmbushë sasitë e premtuara dhe sa do të ndikonte kjo marrëveshje në uljen e çmimeve për konsumatorët amerikanë.