Chelsea ka humbur një nga shanset më të mëdha në historinë e klubit, pasi në vitin 2003 refuzoi mundësinë për të nënshkruar me një Cristiano Ronaldo vetëm 18-vjeçar nga Sporting Lisbona për shumën modeste prej 3 milionë funte (rreth 3.5 milionë euro).
Zbulimi është bërë nga agjenti veteran Barry Silkman, i cili në një intervistë për The Telegraph tregoi se marrëveshja ishte praktikisht e përfunduar me agjentin e yllit portugez, Jorge Mendes, por drejtuesit e Chelseat në fund vendosën ta refuzonin transferimin.
“E kisha bërë marrëveshjen me Jorge Mendesin, por Chelsea tha jo. Cristiano Ronaldo kushtonte vetëm 3.5 milionë euro,” – është shprehur Silkman.
Kjo shifër sot duket pothuajse e pabesueshme për një futbollist që më vonë do të shndërrohej në një nga emrat më të mëdhenj në historinë e sportit botëror. Vendimi i londinezëve mbetet një nga momentet më të famshme “po sikur…” në historinë e Ligës Premier.
Vetëm disa muaj pas refuzimit të Chelseat, Manchester United ndërhyri dhe finalizoi transferimin e Ronaldos për 12.2 milionë funte, duke i hapur rrugën karrierës legjendare nën drejtimin e Sir Alex Ferguson – karrierë që do ta çonte drejt Topit të Artë, titujve të shumtë dhe statusit të ikonës globale të futbollit.
Në atë periudhë, Chelsea ndodhej ende në fazat e para të epokës së re nën pronësinë e Roman Abramovich, duke u fokusuar në objektiva të tjerë të merkatos. Ky vendim, megjithatë, do të mbetej një nga rastet më të mëdha të humbura në historinë e klubit.