Mesfushori kosovar Behar Neziri ka pësuar një lëndim serioz, që i jep fund sezonit të tij aktual. Futbollisti i St. Gallen ka këputur ligamentin në gjurin e djathtë.
Neziri u lëndua në ndeshjen e së martës mbrëma ndaj Sionit, ku ishte aktivizuar si titullar. Lëndimi ndodhi pak minuta para fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, duke e detyruar atë të largohej nga loja.
Testet mjekësore të zhvilluara të mërkurën në mëngjes konfirmuan këputjen e ligamentit, çka e bën të domosdoshme ndërhyrjen kirurgjikale. 22-vjeçari pritet të mungojë për disa muaj, duke humbur pjesën e mbetur të sezonit.
Vlen të theksohet se Neziri ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të St. Gallen këtë sezon, duke u aktivizuar në 17 ndeshje, të gjitha si titullar nga minuta e parë.