Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar ndaj protestës së punëtorëve, të cilët kanë kërkuar rritje të pagave në nivelin prej 1.100 eurosh.
Gjatë protestës, përfaqësues të Sindikatës së re të KEK-ut kanë deklaruar se paga mesatare bazë është rreth 750 euro dhe se pagat reale janë më të ulëta sesa shifrat e paraqitura publikisht nga kryeshefi ekzekutiv.
Në reagimin e saj drejtuar mediave, KEK-u ka publikuar një tabelë sipas së cilës paga mesatare bruto për vitin 2025 është 1,226.60 euro, ndërsa paga mesatare neto arrin 1,080.12 euro.
KEK-u ka theksuar se mirëqenia dhe kushtet e punës së punonjësve mbeten prioritet i Bordit dhe Menaxhmentit, duke shtuar se institucioni mbetet i përkushtuar ndaj dialogut social me sindikatat, në përputhje me performancën dhe mundësitë reale financiare të ndërmarrjes.
Në njoftim po ashtu përmenden përfitime shtesë për punonjësit, përfshirë sigurim shëndetësor, transport, shujta, pagesa jubilare, rritje lineare të pagave dhe bonuse vjetore.
