Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pas dy dekadash e gjysmë, qytetarët që jetojnë në veri të vendit pritet të fillojnë të marrin faturat mujore për shpenzimin e ujit. Sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, projekti pritet të jetësohet gjatë muajve mars ose prill të këtij viti.
Nga kjo kompani bëhet e ditur se aktualisht janë në proces të rekrutimit të stafit, ndërsa menaxherët e njësive operative në veri dhe në impiantin e Zubin Potokut tashmë kanë filluar punën. Autoritetet theksojnë se procesi i faturimit nuk do të jetë retroaktiv, pasi fillimisht duhet të bëhet evidentimi dhe regjistrimi i konsumatorëve, si dhe instalimi i matësve të ujit.
Një pjesë e qytetarëve në veri shprehen të gatshëm ta paguajnë ujin, për sa kohë furnizimi mbetet i rregullt dhe funksional. Ndërkohë, kompania ka nënshkruar edhe kontratën e parë për faturim me Komunën e Mitrovicës së Veriut, e cila konsiderohet si një hap simbolik, por i rëndësishëm drejt shtrirjes së plotë dhe ligjore të shërbimeve të ujësjellësit në këtë zonë.