Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Mbi 14 mijë pacientë janë aktualisht në listat e pritjes për të marrë shërbime shëndetësore në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK). Këto të dhëna u prezantuan gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të kësaj institucioni.
Sipas raportimit, 12 mijë e 249 pacientë janë në pritje në 14 klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku pritjet më të mëdha janë regjistruar në Radiologji, Ortopedi, Kardiologji, Oftalmologji dhe Kirurgji Vaskulare. Ndërkohë, 1 mijë e 902 pacientë janë në listat e pritjes në gjashtë spitale të përgjithshme, ndërsa spitali i Gjakovës nuk ka lista pritjeje.
Si shkaqe kryesore të krijimit të listave të pritjes janë përmendur mungesa e sallave operative, mungesa e anesteziologëve dhe rritja e kërkesës për shërbime shëndetësore. Në mbledhje u diskutua edhe mungesa e transparencës lidhur me furnizimin me barna dhe oraret e mjekëve në ambulancat specialistike, për çka Bordi kërkoi publikim dhe përditësim të rregullt të këtyre informacioneve në uebfaqen e SHSKUK-së.