Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar se ka filluar ndërmarrjen e masave për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, në përputhje me deklarimet e kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian Peter Sorensen.
Sipas njoftimit, shtetasit e huaj në pikën kufitare Dheu i Bardhë janë informuar për masat e reja nga zyrtarët policorë, ndërsa nga e hëna procedurat për aplikim për lejeqëndrim ose deklarim të adresës do të zbatohen në të gjitha pikëkalimet kufitare të Kosovo.
Sipas rregullave të reja, shtetasit e huaj janë të obliguar që brenda tre ditëve nga hyrja në Kosovë të deklarojnë adresën e qëndrimit, proces që mund të kryhet online ose në stacionin më të afërt policor.
Vendimi nuk është mirëpritur nga disa qytetarë të huaj në kufi, të cilët kanë shprehur shqetësime se rregullat e reja mund të kufizojnë kohëzgjatjen e qëndrimit apo përdorimin e veturave me tabela të huaja.
Institucionet theksojnë se regjistrimi synon integrimin dhe menaxhimin më të mirë të të dhënave të shtetasve të huaj në sistemin zyrtar të Kosovës.