Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues mbi 15-vjeç të pacientëve gjatë qëndrimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Vendimi erdhi pas padisë së ngritur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kundër Ministrisë së Shëndetësisë, duke kundërshtuar Udhëzimin Administrativ nr.03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore.
Sipas Gjykatës Supreme, bashkëpagesa mund të aplikohet vetëm për personat që përfitojnë drejtpërdrejt shërbime shëndetësore, ndërsa shoqëruesit e pacientëve nuk konsiderohen përfitues të këtyre shërbimeve.
Gjykata vlerësoi se Ministria e Shëndetësisë ka tejkaluar autorizimet ligjore duke vendosur një obligim financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.
Në vendim gjithashtu theksohet se tarifimi i shoqëruesve mund të ndikojë në qasjen e barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, pasi prania e familjarëve shpesh është e nevojshme për mbështetjen e pacientëve gjatë hospitalizimit.
Tarifa prej 3 eurosh kishte nisur të zbatohej nga shkurti i këtij viti.