Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pas gati 40 vitesh nga premiera e “A Different World”, seriali po rikthehet në Netflix me një brez të ri studentësh dhe një histori që zgjeron përfaqësimin e diasporës afrikane.
Seriali i ri zhvillohet sërish në universitetin fiktiv Hillman dhe ndjek jetën, miqësitë, marrëdhëniet dhe sfidat e studentëve. Këtë herë, pjesë e kastit kryesor është edhe Kojo Achebe, një student ndërkombëtar nga Londra, me prejardhje ganeze dhe nigeriane, i cili synon të bëhet dizajner mode.
Rolin e tij e luan aktori britaniko-nigerian Chibuikem Uche, i cili ka sjellë në personazh edhe elemente nga përvoja dhe kultura e familjes së tij.
Producentja dhe showrunnerja Felicia Pride ka thënë se qëllimi ishte të pasqyrohej më gjerësisht diversiteti brenda diasporës afrikane. Për herë të parë, një personazh afrikan është pjesë e kastit kryesor të serialit.
“A Different World” u transmetua fillimisht nga viti 1987 deri më 1993 dhe u bë i njohur për mënyrën se si trajtoi jetën studentore, marrëdhëniet dhe çështjet sociale në universitetet historikisht për studentët afrikano-amerikanë.
Versioni i ri ka 10 episode dhe synon ta lidhë trashëgiminë e serialit origjinal me përvojat e një brezi të ri, duke përfshirë edhe perspektiva të ndryshme nga diaspora afrikane.