Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Thirrjet për djegien e ndërtesës së Kuvendit, sulme ndaj protestuesve dhe etiketime ndaj policëve janë përhapur në rrjetet sociale pas protestave të 5 tetorit në Prishtinë, të cilat përfunduan me përplasje mes protestuesve dhe Policisë.
Ekspertët e sigurisë dhe të verifikimit të fakteve thonë se kjo gjuhë mund të thellojë ndarjet në shoqëri dhe të nxisë dhunën.
Sipas Hibrid.info, gjatë monitorimit të zhvillimeve të fundit janë identifikuar përmbajtje që mund të interpretohen si nxitje për dhunë, përleshje fizike dhe reagime agresive. Eksperti Bardh Dema thekson se kritika ndaj institucioneve, policisë apo protestuesve është e ligjshme, por problemi nis kur ajo kalon në kërcënime, dehumanizim ose nxitje për dhunë.
Protestat, të zhvilluara pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, u përshkallëzuan më 5 tetor. Protestuesit bllokuan hyrjet e Kuvendit, ndërsa pati sulme ndaj një deputeti dhe zyrtarëve publikë, si dhe hedhje të shisheve e mjeteve piroteknike. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji.
Sipas Policisë së Kosovës, 20 policë, 12 protestues dhe një gazetar morën trajtim mjekësor pas protestës. Ndërkohë, Inspektorati Policor ka nisur hetim preliminar lidhur me pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rritjen e polarizimit në rrjetet sociale, ku debati po paraqitet gjithnjë e më shumë si një përplasje mes dy kampeve: “ose je me UÇK-në, ose me Serbinë”.
Ndërkohë, janë identifikuar edhe profile të dyshimta që kanë shpërndarë mesazhe të ngjashme dhe thirrje për dhunë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ka ende dëshmi të mjaftueshme për të thënë se të gjitha këto përmbajtje janë pjesë e një fushate të koordinuar.
Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë thirrje që protestat të vazhdojnë në mënyrë paqësore, duke theksuar se protesta është e drejtë demokratike, por kërcënimet, dhuna dhe pengimi fizik i deputetëve nuk mund të arsyetohen.