
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar udhëzim administrativ me të cilin janë përditësuar dhe avancuar rregullat dhe procedurat nëpërmjet të cilave Qeveria do të përkrahë financiarisht qytetarët për shërbime shëndetësore të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore.
Me këtë udhëzim, sipas ministrisë, përveç që zgjerohet gama e shërbimeve për pacientët që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, evitohen zbrazëtirat që pamundësojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe sigurojnë një proces të rregullt dhe transparent.
Ministria ka thënë se me këtë udhëzim parashihet për herë të parë Komisionit për përcaktimin e çmimeve referente që është kompetent të propozojë përditësimin e shtojcës së çmimeve referente ku përfshihen sëmundjet, gjendja dhe procedurat për mbështetje nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike.
“Përmes UA Nr: 03/2023 gjithsecili qytetar i Republikës së Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro brenda një viti për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë”, ka njoftuar MSH.
Personat me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve, viktimat civile të luftës do të kompensohen në shumën maksimale, 100%, të vlerës së faturës, thuhet tutje në njoftim.
Gjithashtu, njëjtë do të përfitojnë edhe personat deri në 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që janë përfitues të ndihmës sociale.
Personat mbi moshën 18 vjeç kompensohen me 70% të vlerës së çmimit referent apo mesatares së çmimit të tri profaturave për trajtim mjekësor.
Ndërsa, për personat e diagnostikuar me sëmundje malinje mbi moshën 18 vjeçare është rritur vlera e kompensimit./koha/