Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka theksuar rrezikun nga helmimi ushqimor gjatë verës, për shkak të temperaturave të larta.
Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ku ndër të tjera ka shkruar se gjatë verës mikroorganizmat shumohen më shpejt dhe ushqimi prishet më lehtë.
“Siguria ushqimore u referohet të gjitha rreziqeve të cilat mund t’i shkaktojnë dëme ushqimit dhe përmes tij, shëndetit të popullatës. Në verë, për shkak të temperaturave të larta, rritet rreziku i helmimeve ushqimore. Mikroorganizmat shumohen më shpejt dhe ushqimi prishet më lehtë. Prandaj, kujdesi gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimit është shumë i rëndësishëm për të shmangur sëmundjet”, shkruhet në postim.
Tutje thuhet se kontaminimi i ushqimeve mund të vijë nga: duart e papastërta, ushqimet, uji, kafshët shtëpiake, insektet etj.
Por si ndodhin helmimet nga ushqimi?
Nga IKSHPK bëjnë të ditur se helmimet shkaktohen nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me: bakterie, viruse apo parazitë, kimikate të dëmshme, prania në ushqim e mbetjeve si kocka, metale apo fije floku, mungesë higjiene gjatë përgatitjes apo ruajtjes së ushqimit.
Sipas tyre, për të gjitha helmimet ushqimore karakteristikë është paraqitja e shpejtë e simptomave: temperatura, dhimbje barku, të vjella dhe barkqitje.
Nga ky institut japin rekomandime edhe se si të mbroheni.
“Gatuani mirë ushqimin: Posaçërisht mishin, vezët dhe qumështin – të gjitha pjesët duhet të arrijnë temperaturën 70°C. Konsumoni ushqimin menjëherë pas përgatitjes: Sa më gjatë të qëndrojë, aq më i madh është rreziku i kontaminimit. Ushqimet për fëmijët nuk duhet të ruhen në përgjithësi, duhet të konsumohen sa më parë pas përgatitjes. Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt: Në të nxehtë mbi 60°C, në frigorifer nën 5°C. Mishi i ngrirë dhe mishi i shpendëve duhet të shkrihen tërësisht përpara gatimit”.
Duhet të ringrohni mirë ushqimin e ruajtur: para konsumit, sigurohuni që ushqimi të arrijë përsëri 70°C.
“Shmangni kontaktin mes ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar: Përdorni thika dhe dërrasa të ndara për secilin. Lani duart shpesh dhe si duhet: Para dhe pas përgatitjes së ushqimit, pas tualetit, pas ndërrimit/pastrimit të foshnjave apo pas kontaktit me kafshë. Mbani pastër kuzhinën dhe enët: Pecetat dhe leckat ndërroni rregullisht dhe ziejini nëse kontaminohen. Mbroni ushqimin nga insektet dhe brejtësit: Mbajeni ushqimin në enë të mbyllura me kapak. Përdorni ujë të pastër dhe të sigurt: Nëse dyshoni në cilësinë e ujit, vlojeni para përdorimit. Kontrolloni datat e skadimit dhe freskinë: Shmangni produktet me erë apo pamje të pazakontë”, shkruhet në postim.
Po ashtu IKSHPK thonë se duhet keni kujdes edhe me ushqimin jashtë shtëpisë: Përdorni frigoriferë dore ose enë termoizoluese në piknik apo udhëtime. /Telegrafi/