Gjatë koncertit të saj në Manchester, Billie Eilish surprizoi publikun duke njoftuar se po punon në një projekt të veçantë me regjisorin legjendar James Cameron, i njohur për filmat Avatar dhe Titanic.
“Nuk mund të them shumë, por po punoj për diçka shumë të veçantë me dikë që quhet James Cameron, dhe do të jetë në 3D,” tha Billie gjatë performancës.
Eilish shtoi me humor se do të vishej njësoj për katër ditë me radhë për nevoja xhirimi, ndërsa publiku përjetoi emocionin e të qenit pjesë e një xhirimi unik.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja sjell projekte filmike. Ajo ka publikuar dokumentarin The World’s a Little Blurry (2021) dhe filmin koncertor Happier Than Ever: A Love Letter to Los Angeles.
Aktualisht, Billie ndodhet në tur botëror për të promovuar albumin e saj të tretë, Hit Me Hard and Soft, dhe pas koncerteve në Mbretërinë e Bashkuar, do të vijojë me performanca në Japoni dhe më pas në SHBA.