Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Harresa e lehtë dhe ngadalësimi mendor shpesh lidhen me plakjen, por ekspertët theksojnë se rënia e aftësive njohëse nuk është e pashmangshme. Studimet shkencore tregojnë se mënyra e jetesës luan rol kyç në shëndetin e trurit.
Një stil jetese aktiv – që përfshin lëvizje të rregullt, ushqim të balancuar, mësim të vazhdueshëm dhe kontakte sociale – ndihmon në ndërtimin e asaj që quhet “rezervë njohëse”. Kjo i mundëson trurit të përballojë më mirë ndryshimet që vijnë me moshën.
Ekspertët rekomandojnë të mësohet diçka e re, si një gjuhë apo një hobi, të konsumohet më shumë ushqim i pasur me fibra, fruta, perime dhe yndyra të shëndetshme, si dhe të ruhet aktiviteti fizik edhe përmes ecjeve të thjeshta. Po aq i rëndësishëm është edhe socializimi, i cili lidhet drejtpërdrejt me jetëgjatësinë dhe shëndetin mendor.
Hulumtimet tregojnë se ndryshimet e vogla, por të qëndrueshme, kanë ndikim afatgjatë. Mesazhi kryesor i shkencës është i qartë: truri mund të mbrohet dhe të forcohet në çdo moshë.