Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në Britaninë e Madhe është nisur një provë klinike që shkencëtarët shpresojnë se mund t’i shkurtojë me vite kërkimin për trajtime të reja të sëmundjes së Alzheimerit. Studimi, i quajtur AD-SMART, do të testojë disa barna njëkohësisht, duke nisur me dy ilaçe ekzistuese: metforminën, që përdoret për diabetin e tipit 2, dhe atomoksetinën, që përdoret për çrregullimin e deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD). Synimi është të shihet nëse ato mund të lehtësojnë simptomat, si problemet me kujtesën dhe të menduarit, dhe t’i ndihmojnë pacientët të ruajnë cilësinë e jetës.
Angela Bucksey, 67 vjeç, nga Cambridgeshire, e diagnostikuar me Alzheimer në janar, është personi i parë që nisi trajtimin në provë. “Në familje kemi Alzheimer, e kishte nëna ime dhe tezet. Ndaj diagnoza ishte më shumë zhgënjim sesa tronditje”, tha ajo për BBC-në. Sipas saj, pjesëmarrja i jep ndjenjën se po bën diçka konkrete dhe se po reagon ndaj sëmundjes.
AD-SMART është provë “shumë-krahëshe dhe shumë-fazore”, ku disa trajtime testohen njëkohësisht dhe rezultatet krahasohen me një grup që merr placebo. Kjo u jep pjesëmarrësve më shumë gjasa për të marrë trajtim aktiv sesa në provat tradicionale. Nëse një ilaç nuk tregon dobi, ai mund të hiqet shpejt dhe të zëvendësohet me një tjetër. Kjo qasje është përdorur me sukses në kancer dhe në sëmundjen e neuronit motor. Sipas kryehetuesit, prof. Paresh Malhotra nga Imperial College London, të dyja ilaçet mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit të trurit, që konsiderohet nxitës i neurodegjenerimit.
Do të rekrutohen rreth 1,200 pjesëmarrës me Alzheimer të lehtë deri mesatar, në më shumë se 30 qendra në Britani. Vlerësimi i ilaçeve të para pritet të përfundojë në vitin 2030. Alzheimeri është forma më e shpeshtë e demencës dhe prek rreth 600,000 njerëz në Britani. Kryeministri Andy Burnham, babai i të cilit vdiq nga kjo sëmundje muajin e kaluar, tha se është krenar që prova po nis në vend. Studimi drejtohet nga Instituti Britanik i Kërkimit të Demencës dhe nga Alzheimer’s Research UK.
Burimi: BBC