Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Për herë të parë, Kina është renditur në dhjetëshen e vendeve më inovative në botë sipas Indeksit Global të Inovacionit (GII), duke zëvendësuar Gjermaninë, ekonominë më të madhe të Evropës. Raporti i Kombeve të Bashkuara, i cili mat 139 ekonomi në bazë të 78 indikatorëve, e vendos Zvicrën në krye për të 14-tin vit radhazi, e ndjekur nga Suedia dhe Shtetet e Bashkuara.
Kina u rendit në vendin e 10-të, duke u shndërruar në një nga investitorët më të mëdhenj globalë në kërkim dhe zhvillim. Vetëm gjatë vitit 2024, ajo kontribuoi me rreth 25% të aplikimeve ndërkombëtare për patenta, duke ruajtur pozitën si burimi më i madh në botë. Ndërkohë, SHBA, Japonia dhe Gjermania shënuan rënie të lehta në këtë fushë.
Sipas ekspertëve, pronësia mbi patenta është një tregues i rëndësishëm i fuqisë ekonomike dhe njohurive industriale të një shteti. Megjithatë, raporti paralajmëron se perspektiva globale e inovacionit është e turbullt, pasi rritja e shpenzimeve për R&D pritet të bjerë në 2.3% këtë vit – niveli më i ulët që nga kriza financiare e vitit 2010.
Në listën e top-10, përveç Zvicrës, Suedisë dhe SHBA-së, janë edhe Koreja e Jugut, Singapori, Britania, Finlanda, Holanda dhe Danimarka. Gjermania, megjithëse ra në vendin e 11-të, sipas ekspertëve mbetet një motor i fuqishëm i inovacionit industrial, por sfida e saj kryesore është të bëhet edhe një fuqi digjitale.