Gati një muaj ka kaluar që kur në New York ka nisur gjykimi ndaj producentit të njohur muzikor Sean “Diddy” Combs (55), i cili po përballet me akuza serioze për trafikim njerëzor për qëllime shfrytëzimi seksual, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe nxitje të prostitucionit. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai rrezikon dënim të përjetshëm me burg. Combs ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për asnjërën nga akuzat.
Gjatë katër javëve të fundit, juria ka dëgjuar një sërë dëshmish tronditëse – përfshirë edhe rrëfimet e ish-partnereve të artistit të njohur. Njëra prej tyre, Cassie Ventura, ka përshkruar festat e quajtura “freak off”, në të cilat Diddy kërkonte që ajo të angazhonte meshkuj që ofronin shërbime seksuale, me të cilët pastaj duhej të kryente marrëdhënie përpara tij – seanca që, sipas saj, mund të zgjatnin deri në katër ditë rresht.
Në sallën e gjyqit ka dëshmuar edhe reperi Kid Cudi, i cili ka treguar se pas zbulimit të lidhjes së tij me Cassie, Diddy i kishte hyrë me forcë në shtëpi dhe i kishte djegur veturën. Këtë version e ka konfirmuar edhe ish-asistenti personal i Diddyt.
Një tjetër dëshmi tronditëse erdhi nga një partnere tjetër e Diddyt, e identifikuar vetëm me emrin e koduar “Jane”, e cila foli për presionin emocional dhe zakonet seksuale të artistit. “Më futi në atë mënyrë jetese nën një presion emocional të madh. Isha e dashuruar dhe nuk kuptoja realisht se çfarë do të thoshte kjo lidhje,” tha ajo. Jane shtoi se përditshmëria e saj ishte një përzierje e përkushtimit emocional dhe ndjenjës së detyrës për të përmbushur çdo dëshirë seksuale të tij si pjesë e rolit të saj si e dashura e tij.
Një mesazh zanor i regjistruar nga Diddy më 2023, pas një udhëtimi në ishujt Turks dhe Caicos, u prezantua gjithashtu në gjykatë. Në të, ai i thoshte: “Ti je lula ime për crack, kështu do të të thërras – ‘Crack Pipe’,” duke shtuar se “kaluan për mrekulli bashkë”.
Sikurse Cassie, edhe Jane dëshmoi për rituale seksuale të çuditshme në festat e Diddyt, ku ai, sipas saj, shfaqte prirje për të qenë “cuckold” – një mashkull që eksitohet duke parë partneren e vet me një burrë tjetër.
“Përpiqesha ta kuptoja atë dinamikë. Për herë të parë hasja fjalën ‘cuckold’ kur përpiqesha të kuptoja se çfarë e eksitonte atë,” rrëfeu Jane.
Vetë Diddy nuk ka shfaqur ndonjë emocion gjatë seancave gjyqësore, ndërkohë që disa media amerikane po spekulojnë se ai po përdor të ashtuquajturën “mbrojtje e djalit të urtë” – një strategji që përfshin veshje të thjeshta dhe të rehatshme, si pulovra, për të krijuar para jurisë përshtypjen e një karakteri më të butë dhe të pafajshëm.
Gjykimi pritet të vazhdojë javën tjetër, me dëshmi të reja që mund ta rëndojnë edhe më shumë pozitën ligjore të Diddyt. /Telegrafi