
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Shkencëtarët kanë zbuluar një element kyç në rigjenerimin e gjymtyrëve, falë një krijese ujore që duket sikur del nga një përrallë shkencore: axolotl-i që ndriçon në errësirë.
Një krijesë e vogël me gushëzime të fryra, buzëqeshje të përhershme dhe lëkurë që ndriçon jeshile në errësirë ka ndihmuar shkencëtarët të zgjidhin një nga misteret më të mëdha të biologjisë – rigjenerimin e gjymtyrëve.
Axolotlët, këto salamandra ujore të njohura për aftësinë e tyre të jashtëzakonshme për të rigjeneruar gjymtyrë të humbura, janë bërë subjekt i një studimi të ri të publikuar në Nature Communications. Studiuesit zbuluan se një substancë e quajtur acidi retinoik, që ndodhet edhe në disa trajtime kundër akneve te njerëzit, është çelësi që i tregon trupit se çfarë pjese duhet të rigjenerojë – një dorë, një krah apo më shumë.
“Kemi kohë që përpiqemi të kuptojmë si e di një qelizë e dëmtuar se çfarë pjese të trupit duhet të ndërtojë sërish,” tha James Monaghan, biolog dhe drejtor i Institutit për Imazheri Kimike të Sistemeve të GJalla në Universitetin Northeastern.
Për të studiuar efektin e acidit retinoik, ekipi shkencor përdori axolotlë të modifikuar gjenetikisht që ndriçonin aty ku ky acid aktivizohej pas dëmtimit. Në fillim, ata injektuan sasi të mëdha të acidit – rezultatet ishin mahnitëse: në vend të një dore të humbur, krijesat rritnin një krah të tërë.
Më vonë, duke ndaluar një enzimë specifike (CYP26B1) që zakonisht e zbërthen acidin retinoik, shkencëtarët panë të njëjtin efekt “Frankenstein”: rigjenerim i tepërt. Kjo sugjeron se trupi i axolotlit e kontrollon me kujdes nivelin e acidit retinoik për të shmangur ndërtimin e tepërt të indeve.
Ndryshe nga njerëzit, qelizat e axolotlit, kur lëndohen, “harrojnë” identitetin e tyre dhe kthehen në një gjendje embrionale – një proces i quajtur dediferencim – që u mundëson atyre të rindërtojnë pjesët e humbura.
Njerëzit nuk kanë këtë aftësi. Trupi ynë reagon me plagë dhe mbresë, jo rigjenerim.
Por a mund të ndryshojë kjo në të ardhmen?
“Ndoshta nuk kemi nevojë të shtojmë ose heqim gjene për të nxitur rigjenerimin te njerëzit – ndoshta mjafton të ndezim ose fikim gjenet e duhura në momentin e duhur,” tha Monaghan, duke iu referuar teknologjive si CRISPR.
Rigjenerimi i gjymtyrëve te njerëzit ende duket si një skenar fiksioni, por ky studim përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Nëse shkencëtarët arrijnë të kuptojnë më mirë “manualin e ndërtimit” gjenetik që ndjekin axolotlët, në të ardhmen kjo mund të shërbejë për zhvillimin e terapive të avancuara për shërimin e plagëve dhe ndalimin e mbresave.
“Është thelbësore që të vazhdojmë kërkimin bazë biologjik,” thotë Catherine McCusker, profesoreshë e biologjisë në Universitetin e Massachusetts Boston. “Jemi duke zbuluar mënyra krejt të reja për të trajtuar dëmtimet që sot nuk janë të mundshme me mjekësinë aktuale.”