Një studim i publikuar në revistën Sleep Health sugjeron se dremitjet gjatë ditës mund të ndihmojnë në ruajtjen e rinisë së trurit, me një diferencë të mundshme deri në 6.5 vite në procesin e plakjes së trurit.
Hulumtimi analizoi të dhëna gjenetike nga mbi 378,000 pjesëmarrës në Britaninë e Madhe dhe zbuloi se ata me prirje gjenetike për të bërë gjumë të shkurtër gjatë ditës kishin vëllim më të madh të trurit – një shenjë që lidhet me shëndetin më të mirë të tij.
Autorja Valentina Paz theksoi se dremitësit e shpeshtë kishin mesatarisht 15.8 cm³ më shumë në vëllimin total të trurit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se studimi nuk provon se dremitja shkakton këto përfitime. Ai u përqendrua tek personat me prirje gjenetike për dremitje, dhe të dhënat ishin të vetëraportuara, pa specifikuar kohëzgjatjen apo cilësinë e gjumit.
Sipas studiuesve, nëse dremitja përfshin gjumin e thellë, ajo mund të ndihmojë në pastrimin e toksinave në tru dhe të ngadalësojë plakjen. Por gjithashtu paralajmërojnë se gjumi i tepërt gjatë ditës mund të ndikojë negativisht në gjumin e natës – faktor kyç për shëndetin e përgjithshëm të trurit dhe trupit.