Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kosova ka importuar mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili vetëm gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, duke e bërë këtë shtet furnizuesin kryesor të vendit me këto produkte.
Nga 3 shtatori 2026, Bashkimi Evropian do të vendosë kufizime për disa eksporte braziliane me origjinë shtazore, për shkak të rregullave lidhur me përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që hyjnë në zinxhirin ushqimor.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në korrik, importet e mishit të gjedhit dhe pulës nga Brazili kanë kaluar 50 milionë euro. Në të njëjtën periudhë, importet e këtyre produkteve nga të gjitha shtetet e tjera së bashku kanë arritur në mbi 65 milionë euro.
Deri më tani, Kosova nuk ka njoftuar për masa të ngjashme me ato të BE-së, ndërsa Shqipëria ka paralajmëruar zbatimin e masave nga e njëjta datë.
BE-ja kërkon që kafshët dhe produktet me origjinë shtazore të importuara të mos vijnë nga kafshë të trajtuara me antimikrobikë për nxitjen e rritjes apo rritjen e prodhimit. Sipas Komisionit Evropian, Brazili nuk ka ofruar garancitë e nevojshme për respektimin e këtyre kërkesave gjatë gjithë ciklit jetësor të kafshëve.